Osmani: Është bërë përparim në lobimin te pesë shtetet mosnjohëse

Pasi Kosova zbuloi planet për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian para fundit të vitit, presidentja Vjosa Osmani tha se po bëhet përparim në lobimin te pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat aktualisht nuk e njohin vendin.
Qiproja, Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit në BE dhe anëtarësimi, kërkohet miratimi unanim i 27 shteteve anëtare, të cilat mbeten të ndara për këtë çështje.
“Por ne duam t’i përdorim këto vite në dy fronte, njëra, për t’u siguruar që të shtyjmë përpara për reforma të rëndësishme në vendin tonë që do të na afronin me BE-në. Dhe së dyti, për të bindur të gjithë anëtarët e BE-së që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës dhe të na japin statusin e kandidatit”, tha presidentja Vjosa Osmani për Euroactiv.
Ajo ka shpjeguar se kanë zgjedhur që aplikimin ta bëjnë në dhjetor, gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, sepse Praga i ka dhënë shumë mbështetje Kosovës dhe rajonit dhe për shkak të shpresës që liberalizimi i vizave të finalizohet deri në fund të muajit, shkruan Euroactiv.
Suedia, e cila është shumë më pak e interesuar për zgjerimin, merr kontrollin nga çekët më 1 janar.
E pyetur nëse ka ndonjë strategji apo qasje specifike që po përdoret me pesë shtetet mosnjohëse, ajo tha se po ndërmerret një qasje hap pas hapi dhe është bërë përparim.
Me disa, tha Osmani, tashmë ka një nivel të lartë të bashkëpunimit ekonomik, njohjes së dokumenteve, turizmit, kulturës, që do të thotë se ajo që ka mbetur është njohja formale./21Media

Back to top button