Osmani: Infermierët janë aseti më i çmuar në sistemin tonë shëndetësor

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar infermierët, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve.

“12 maji është Dita Ndërkombëtare e Infermierëve. Në këtë ditë, urime të përzemërta për të gjithë infermieret /infermierët, të cilët përgjatë kësaj periudhe të përballjes me pandeminë Covid-19, janë jo vetëm shpresa, por edhe ata që e kanë barrën më të madhe të punës. Duke qenë në ballë të sfidës anticovid, infermierët janë aseti më i çmuar në sistemin tonë shëndetësor. Pesha dhe rëndësia e punës së tyre duhet të shpaguhet duke e trajtuar dinjitetshëm angazhimin e çdoditshëm të tyre”, ka shkruajtur Presidentja Osmani.

Ndër të tjera, ajo uroi në veçanti, nënën e saj e cila është në pragë të pensionimit e që ka shërbyer si infermiere për katër dekada.

“Në këtë ditë, dua në veçanti të nderojë kontributin e shumë infermiereve anekënd Kosovës të cilat së shpejti arrijnë moshën e pensionimit dhe të cilat e ushtrojnë këtë profesion prej mbi 40 vitesh. Në mesin e tyre edhe nëna ime, e cila që nga mosha 18 vjeçare e deri sot me mbi 4 dekada kontribut, asnjëherë nuk e humbi vullnetin e zellin për t’i shërbyer pacientëve. Ajo dhe shumë infermiere të tjera kishin filluar të punojnë në kohë jo të lehta te dominimit të patriarkatit, ishin dëbuar dhunshëm nga puna gjatë regjimit të Millosheviqit, por kishin vazhduar kontributin edhe gjatë viteve të 90-ta nëpërmjet sistemit paralel shëndetësor “Nënë Terezë”’. Së fundi, nuk u ndalën në asnjë moment në përballje me pandeminë. Infermiere/infermierë të nderuar, jemi krenar me punën tuaj. Ne do të kemi nevojë për ju edhe kur pandemia të kalojë. Ndaj duam që heronj t`u kemi sot, por edhe nesër në përballje të tjera në sferën e shëndetit!”, shtoi Osmani./21Media

Back to top button