Osmani: Kosova është e gatshme të nënshkruaj marrëveshje me Vatikanin

Në margjina të Konferencës për Siguri në Mynih, në takime të ndara, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka takuar ministrin e Jashtëm të Danimarkës Jeppe Kofod, sekretarin e shtetit të Vatikanit për marrëdhënie me shtetet Paul Richard Gallager, dhe drejtoren e EUROPOL-it znj. Catherine de Bolle.
Në takim me ministrin e Jashtëm danez, Osmani bashkë me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe përkushtimin e të dyja palëve për avancim të mëtejmë të tyre. Duke falënderuar ministrin për ndihmën e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës, Osmani dhe Gërvalla kanë kërkuar vazhdimin e përkrahjes për procesin e liberalizimit të vizave, por edhe për synimet e Kosovës për anëtarësim në BE, NATO, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë tek sundimi i ligjit, agjenda e gjelbër dhe ekonomia.
Në takim me sekretarin e shtetit të Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet, Paul Richard Gallager, Osmani dhe Gërvalla kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të afërt me Selinë e Shenjtë, duke synuar avancimin e raporteve të ndërsjella.
Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është e gatshme të nënshkruaj marrëveshje me Vatikanin lidhur me çështjet të cilat janë në interes të përbashkët të të dy vendeve.
Ndërsa në takim me drejtoreshën e EUROPOL-it, Osmani dhe De Bolle kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me situatën e sigurisë në Evropë, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe përpjekjet e Republikës së Kosovës për të garantuar sundimin e ligjit.  Osmani ka rikonfirmuar se sundimi i ligjit mbetet prioritet i institucioneve të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button