Osmani: Kur Serbia të gjykohet, viktimat e masakrës së Studimes do të prehen në paqe

 

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu sot ka përkujtuar viktimat e masakrës së Studimes, me ç’rast ka deklaruar se duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb, mbajmë të gjallë kujtimin për viktimat, por, edhe e ritheksojmë përkushtimin që të mos reshtim së kërkuari drejtësi për to, derisa ajo të vihet në vend.

“Çdo 2 maj përkujtojmë viktimat e masakrës së Studimes, njërës ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në këtë datë të vitit 1999, për më pak se 2 orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë. Dëshmitë flasin për masakër të planifikuar qysh më herët nga forcat serbe. Shumë janë ekzekutuar nga afër me gjakftohtësi të plotë, me një plumb në kokë, të tjerë janë shpuar me bajoneta ose janë ekzekutuar me automatikë. Në dhjetëra raste të ekzekutuarve u janë gërvishtur në trup simbole serbe.”, ka shkruar Osmani në facebook.

Presidentja tutje ka shtuar se viktimat do të prehen në paqe kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit.

“Vetëm atëherë ato do të prehen të qeta dhe ndërgjegjja jonë do të qetësohet. Vetëm kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit, kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetëror dhe kur kërkimfalja të vijë nga pasardhësit e sotëm të regjimit të djeshëm të Milosevicit, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht.”, ka shtuar tutje Osmani.

Ndryshe, sot janë bërë 22 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe kanë vranë 116 shqiptarë të pafajshëm. Këta të fundit janë nxjerrë nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugën për Shqipëri. Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilë janë pushkatuar brenda dy orëve./21Media

Back to top button