USAID: Përkushtimi ndaj Kosovës mbetet i palëkundur

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vlerësuar kontributin e USAID-it në arritjen e sukseseve të Kosovës përgjatë dy dekadave të fundit.

Në një konferencë për media pas takimit me Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee, ajo tha se bashkëpunimi me USAID-in është shembull konkret i përkushtimit të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan ndaj vendit dhe se një Kosovë më e zhvilluar dhe e fortë është synimi i përbashkët.

Duke folur në lidhje me investimet e USAID-it, e para e shtetit tha se në vendin tonë USAID ka investuar mbi 1 miliardë dollarë, e që së bashku me projektet e tjera të qeverisë amerikane investimet arrijnë deri në dy miliardë dollarë.

“Kontributi i USAID-it përgjatë më shumë se dy dekadash është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të popullit amerikan për ta ndihmuar vendin tonë drejt arritjes së sukseseve të reja. Bashkëpunimi me USADI-in reflekton parteritetin tonë me Shtetet e Bashkuara, një partneritet i ndërtuar në besim të ndërsjellë, të fuqizuar nga vlerat e përbashkëta dhe të motivuara nga qëillimi ynë i përbashkët. Një Kosovë më e fortë, e zhvilluar, gjithëpërfshirëse dhe e integruar në institucionet euroatlantike. Në përpjekjet tona të përbashkëta për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë, USAID-i ka qëndruar besnikërisht përkrah popullit tonë duke investuar mbi 1 miliard dollarë në Republikën e Kosovës e që bashkë me projektetet e tjera të qeverisë amerikane investimet arrijnë diku deri në dy miliardë dollarë”, tha ajo.

Ndërkaq, duke folur për sukseset e Kosovës gjatë 16 viteve si shtet i pavarur, Osmani tha se Republika jonë është ndër reformatorët më të mirë në indekset globale për sundimin e ligjit dhe të ruajtjen e demokracisë.

Ajo gjithashtu shtoi se po punohet se këto suksese të përkthehen edhe në përfitime ekonomike për Kosovën.

“Ne sapo kemi shënuar 16 vite si shtet i pavarur. Përgjatë këtyre viteve sukseset tona të njëpasnjëshme janë arritur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, aleatëve tanë dhe mbështjetejn e insititucioneve si USAID-i. Sot Republika jonë është padyshim ndër performuesit dhe reformatorët më të mirë në indekset globale për sundimin e ligjit dhe promovimin dhe ruajtjen e demokracisë. Po punojmë vazhdimisht që këto suksese të përkthehen edhe në përfitime ekonomike dhe për t’i siguruar vendit tonë suksese në vazhdimësi”, tha Osmani.

Ndërkaq, Ndihmës administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee, tha se është e kënaqur me progresin e Kosovës dhe se vendi po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat.

“Kosova po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat. USAID-i është i përkushtuar në ndërtimin e aftësive të nevojshme për të shfrytëzuar frymën e tyre sipërmarrëse për t’u bërë lider në sektorin privat të Kosovës dhe për të çuar përpara potencialin për të zhbllokuar atë prosperitet që ne e dimë që Kosova duhet t’i ofrojë jo vetëm vetë Kosovës, por gjithë rajonit, dhe sinqerisht, mbarë Evropës. Isha gjithashtu e kënaqur që takova gratë lidere kosovare dhe festova Ditën Ndërkombëtare të Gruas disa ditë më herët, dhe Muajin e historisë së grave mbrëmë në një tubim që u organizua nga ambasadori Hovenier dhe këto gra të mrekullueshme, nëpunëse civilë, avokate dhe gjyqtare, përfaqësuese të sektorit privat, ligjvënëse, inxhiniere, përveçse nëna dhe bashkëshorte janë vërtet të shquara në punën e tyre të palodhshme për të bërë një ndikim pozitiv në sektorët e tyre dhe në vendin e tyre. Ishte vërtet frymëzuese. Këtë vit, siç përmendi presidentja, USAID-i do të shënojë 25 vjetorin e partneritetit tonë me popullin e Kosovës. Rrugëtimi zhvillimor i Kosovës ka qenë disi i jashtëzakonshëm”, tha McKee.

Ajo gjithashtu tha se përkushtimi i USADI-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur, pavarësisht që mund të ketë raste të mosmarrëveshjes me “qeveri të veçanta”.

“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri të veçanta, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm. USAID-i dhe angazhimi im ndaj jush, sot isha këtu për të ritheksuar me të gjithë partnerët tanë, është i përkushtuar për të vazhduar punën me ju në reformat e nevojshme për të minimizuar mundësitë për korrupsion, për të forcuar institucionet demokratike të Kosovës, për të investuar në pajisjen e gjeneratës së ardhshme. me aftësitë dhe mundësitë, jo vetëm aftësitë, por mundësinë për t’i përdorur ato aftësi për të realizuar potencialin e tyre të plotë dhe për të siguruar që Kosova të ketë një të ardhme të sigurt dhe stabile energjetike. Duke i dhënë përparësi nevojave të të gjithë qytetarëve dhe duke siguruar një gjyqësor të fortë dhe të pavarur, ne kontribuojmë në zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve gjyqësore të drejta dhe të paanshme, gjë që është kritike, sundimi i ligjit është jetik, jo vetëm për një demokraci në zhvillim, por për të ofruar siguri për investitorët, për qytetarët, për ata që e dinë se e ardhmja e tyre është këtu në Kosovë dhe jo gjetkë”, tha ajo.

Ajo nuk la përmendur edhe dialogun Kosovë-Serbi për të cilin tha se është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike dhe se mbështetja e USAID-it do të mbetet e palëkundur për Kosovën.

“E ardhmja e Kosovës është brenda Evropës. Sekretari Blinken kohët e fundit përsëriti se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i drejtë dhe rruga e vetme përpara për Kosovën për të avancuar integrimin e saj me institucionet evropiane dhe euroatlantike. Siç kemi bërë në 25 vitet e fundit, USAID-i do të qëndrojë i palëkundur në partneritet me Kosovën për të siguruar që momenti drejt kësaj të ardhme të mos lëkundet, por të përshpejtohet dhe përfundimisht të vazhdojë”, tha ajo.

Back to top button