Osmani në takim me presidentin e Portugalisë: Kosova është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot është pritur në takim nga presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë Kosovës me dekada, duke kërkuar mbështetje edhe në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Osmani ka theksuar se Kosova po zbaton reforma gjithëpërfshirëse në ekonomi dhe sundim të ligjit, duke u dëshmuar kështu si partner kredibil, por edhe si një shtet që zhvillohet bazuar në vlerat e BE-së. Në këtë kontekst, ajo ka potencuar se Kosova synon anëtarësimin në BE dhe NATO si synime parësore e strategjike, ndërkaq falënderoi Portugalinë që është zë i fuqishëm pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Për procesin e dialogut me Serbinë, Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve konstruktive me fqinjët, duke potencuar se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë duhet të përfshijë njohjen reciproke.
Presidentja në takim me homologun De Sousa ka shfaqur gatishmërinë e shtetit të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Portugalinë jo vetëm në sferën e politikës e diplomacisë, por edhe në fushën e tregtisë, turizmit, mbrojtjes, arsimit, kulturës, si dhe të trajnimeve profesionale./21Media

Back to top button