Osmani: Nëse partitë dakordohen, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare gjatë këtij viti.

Ajo në një prononcim para gazetarëve ka thënë se nëse partitë arrijnë të dakordohen dhe e shpërndajnë Kuvendin, zgjedhjet mund të shpallen brenda 30-45 ditëve.

“Ju e dini që zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025. Në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës për një datë të mëhershme”, tha Osmani.

“Në qoftë se arrijnë këtë dakordim, atëherë në momentin që ata dakordohen dhe e shpërndajnë Kuvendin, si presidente, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve brenda 30 – 45 ditëve”, u shpreh Osmani.

Ndërsa tutje shtoi se nocionet e mosbesimit, dorëheqjet e qeverive dhe shpërndarja e kuvnedit, janë tri metoda që mund të dërgojnë deri tek zgjedhjet e reja, dhe nëse asnjëra nga këto të tria nuk ndodh data e rregullt e zgjedhjeve është fillimi i vitit të ardhshëm.

“Por asnjëra prej tyre nuk inicohen e as nuk bëhen të mundura nga presidentja e vendit, por nga partitë të cilat janë qoftë në qeveri, qoftë në opozitë…Në qoftë se nuk ndodhin asnjëra nga këto tria, siç e përmenda, data e rregullt e zgjedhjeve është fillimi i vitit të ardhshëm”, theksoi Osmani./21Media

Back to top button