Osmani pas takimit me Ramën: Diskutuam për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare

(lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të enjten pasdite kanë diskutuar për “proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit”.

“Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike. 🇽🇰🇦🇱”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj “Facebook” pas takimit.

Në takim me Osmanin e Ramën ishte edhe ambasadori amerikan, Jefrrey Hovenier, mirëpo i njëjti nuk u prononcua për media pas përfundimit të takimi.


Në takimin mes Osmanit e Ramës po merr pjesë edhe ambasadori Hovenier

Në takimin e Osmanit me Ramën po merr pjesë edhe ambasadori amerikan, Jefrrey Hovenier, mëson RTV21.

Nuk dihen arsyet e pjesëmarrjes edhe të ambasadorit Hovenier. Një gjë e tillë nuk është paralajmëruar në agjendë.

Megjithatë, nuk ndodh shpesh që ambasadori amerikan të merr pjesë në takime mes liderëve.

Osmani në takim me Ramën

Presidentja Vjosa Osmani ka filluar takimin në presidencë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Vizita e Ramës në Kosovë është në radhën e turit të Ramës në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Rama do të takohet edhe me kryekuvendarin Glauk Konjufca.

Ndërkohë, takimi mes Ramës dhe kryeministrit Albin Kurti ende nuk është konfirmuar, pasi ky i fundit ka thënë se nuk do të takohet me Ramën pa u bërë mbledhja e dy qeverive. /21Media

Back to top button