Osmani pas takimit me senatorët amerikanë: Serbia ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar që të rriten garancitë për sigurinë e Kosovës dhe të mbrohet kufiri me Serbinë. Në një konferencë për media pas takimit me senatorët amerikanë, ajo ka theksuar se Kosova do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë për policin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

Osmani ka shtuar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për të parandaluar veprime të ngjashme me atë të 24 shtatorit në Banjskë.

Ajo tha se Serbia ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin.

“Natyrshëm që takimi ynë u përqendrua në zhvillimet e fundit në vend, në veçanti në aktin terrorist ndaj Kosovës të sponsorizuar dhe mbështetur nga Serbia. Synimet e tilla dashakeqe nuk mjaftohen vetëm me Kosovën por janë paralajmërim që Serbia ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin. Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që Serbia të mbahet përgjegjëse, t’i dorëzojë terroristët si dhe të rriten garancat e sigurisë në raport me Kosovën që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”, ka thënë Osmani.


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbajnë përgjegjëse Serbinë për agresionin e 24 shtatorit ndaj Kosovës.

Pas takimit me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, Osmani ka theksuar nevojën për të rritur garancat e sigurisë ndaj Kosovës, sidomos në kufirin me Serbinë.

Në anën tjetër, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, ka thënë se kanë ardhur për të shprehur mbështetjen ndaj Kosovës, sidomos pas incidentit në veri më 24 shtator.

Ajo ka theksuar se përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duhet të japin llogari para drejtësisë.


Osmani pret në takim dy senatorë amerikanë

Takimi i presidentes Vjosa Osmani, me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch ka filluar.

Pas këtij takimi pritet të ketë një deklarim për media.


Osmani dhe Kurti presin dy senatorët amerikanë

Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch sot do të takohen me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani, do t’i presë dy senatorët nga ora 9:15. Ndërkaq, në ora 10:00, Shaheen dhe Welch do të takohen me kryeministrin Kurti.

Është bërë e ditur se në të dy rastet do të ketë deklarim për media.

E për vizitën e senatorëve amerikanë në Kosovë, njoftoi vetë Shaheen.

“Senatori Peter Welch dhe unë jam në Ballkanin Perëndimor për të siguruar aleatët tanë se SHBA-ja është e angazhuar në mënyrë aktive dhe mbështet aspiratat demokratike të kombeve të tyre. Pres me padurim që të kem biseda thelbësore me drejtues dhe zyrtarë lokalë gjatë gjithë vizitës”, ka shkruar ajo në “X”.

Back to top button