Osmani porosi deputetëve: Pacientët me kancer nuk ankohen që s’ka asfalt

Presidentja Vjosa Osmani vizitoi sot Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Osmani tha se me drejtuesit e klinikës diskutoi për nevojat që i ka Onkologjia, në mënyrë që të përmirësohen kushtet për pacientët, sepse siç u shpreh ajo, kujdesi dhe angazhimi i stafit mjekësor është i jashtëzakonshëm e për çdo lëvdatë.
“Çdo përpjekje e jona e përbashkët duhet të jetë përpjekje që vazhdon 12 muaj të vitit, për çdo vit, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në parandalimin e kancerit të gjirit, por edhe të sëmundjeve të tjera malinje të cilat për fat të keq marrin shumë jetë, mirëpo nëse jemi të kujdesshëm, ka zbulim të hershëm atëherë kemi jetëgjatësi edhe në shumë raste edhe mbijetesë ndaj kësaj sëmundje të rrezikshme”, tha Osmani.
Sipas presidentes, duhet mbështetje më e madhe e kushte më të mira për Klinikën e Onkologjisë, shkruan rtv21.tv
“Viti i ardhshëm mos të jetë vit i përballjes me ndonjë mungesë. Pacientët kanë nevojë edhe për mbështetje psikologjike. Diskutuam edhe nevojën për rritjen e numrit të psikologëve klinik këtu”, tha ajo.
Osmani bëri të ditur se Presidenca do të mbulojë një pjesë të madhe të donacioneve të protezave të gjirit.
“Pacientët kur vinë këtu nuk ankohen që s’ka asfalt. Ky le të jetë një mesazh për të gjithë ata që në fundvit vendosin se çakfit duhet t’i japin përparësi sa i përket buxhetit të shtetëror. Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa jeta dhe shëndeti i qytetarëve tanë. Prandaj në këta muaj të fundit kur deputetët vendosin se cili do të jetë buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, bëj thirrje që asgjë mos të jetë prioritet më i madh sesa shëndetësia”, theksoi presidentja.
Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën./21Media

Back to top button