Osmani: Putini përmes Serbisë synon ta destabilizojë Ballkanin

Presidenti rus Vladimir Putin do të kërkojë të përdorë Serbinë për të destabilizuar Ballkanin dhe bashkë me të, të gjithë Evropën Perëndimore, në një sulm ndaj vlerave demokratike të Bashkimit Evropian. Kështu ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, në të cilën bën thirrje që shteti i saj, ish-krahinë serbe, të njihet nga të gjitha vendet evropiane dhe të Amerikës Latine.
EFE shkruan se Kosova u bë e pavarur në vitin 2008, pas një dekade administrimi të OKB-së pas ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, e cila nën presidentin autoritar Slloboban Millosheviq, kishte shtypur popullin e Kosovës. Ajo ndërhyrje e Aleancës, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përdoret tani nga Rusia për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë, ku synon të “denazifikojë” vendin dhe të ndalojë një “gjenocid” të supozuar të popullatës rusisht-folëse.

Osmani e përshkruan këtë krahasim rus thjesht si “propagandë” dhe kujton se rreth 13,000 njerëz u vranë në Kosovë para ndërhyrjes së NATO-s, me shumicën e popullsisë të zhvendosur nga kërcënimi i spastrimit etnik.
“Nëse ka diçka për të krahasuar në këto dy luftëra, janë veprimet e Millosheviqit me veprimet e Putinit”, thotë Osmani.
Back to top button