Kaloni te përmbajtja kryesore

Osmani: Roli i SHBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një takim me Zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer.

Sipas Osmani në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, roli i SHBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.

“Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, ka theksuar presidentja.

Prandaj, sipas Osmanit, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ajo tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.

Sipas presidentes, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.

“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve, është përcaktues në dialog”, ka theksuar Presidentja Osmani.


Osmani në OKB: Gratë në Kosovë kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve të paqes dhe sigurisë

Me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendes për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së Osmani shpalosi të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Presidentja vuri në pah rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë. Ajo potencoi se Kosova tashmë po i udhëheq përpjekjet në rajon për zbatimin e kësaj agjende”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidentja tha po ashtu se Kosova është e gatshme të japë kontribut në nivel ndërkombëtar për zbatimin e kësaj agjende, me ç’rast vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të ndihmuar gratë në Ukrainë dhe Afganistan.

“Më këtë rast, Presidentja Osmani foli edhe për Forumin global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi”, thuhet tutje në komunikatë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button