Osmani takoi deputetin Goncharenko: Kosova mbështet Ukrainën

Presidentja e Ksoovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, deputetin e Parlamentit të Ukrainës dhe njëherësh anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Në takim me deputetin ukrainas, Osmani ka theksuar se Kosova që prej fillimit të agresionit rus është në krah të Ukrainës dhe se e ka mbështetur atë në mënyra të ndryshme, si dhe i ka bashkërenduar veprimet politike me aleatët tanë evropian dhe amerikan.
Presidentja ka potencuar se Kosova prej fillimit të agresionit të Rusisë më 24 shkurt është në anën e BE-së, SHBA-së dhe vendeve demokratike dhe i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Sipas Osmanit, populli i Ukrainës po kalon një periudhë jashtëzakonisht sfiduese dhe të vështirë duke e përballur me agresion ushtarak dhe krime kundër njerëzim dhe populli i Kosovës e ka përjetuar një luftë të ngjashme.
Ajo ka theksuar se populli i Kosovës ka hapur zemrën dhe derën për të strehuarit nga Ukraina. Sipas saj, deri më tash në Kosovë kanë gjetur strehim një grup i gazetarëve të Ukrainës, teksa MAT Kosova po zhvillon trajnimin e grave ukrainase në fushën e deminimit.
Deputeti Goncharenko e njoftoi presidenten se në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi i deputetëve “Miqtë e Kosovës”, të cilët do të shërbejnë si platformë për thellimin e bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve.
Ai shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se do të angazhohet në zgjerimin e mbështetjes për Kosovën brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës./21Media

Back to top button