Osmani takoi Kryeministren e Lituanisë, kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në KE

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Lituani, sot u prit në takim nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė, me ç’rast vlerësuan lart marrëdhëniet ndërshtetërore dhe konfirmuan angazhimin për thellimin e tyre, posaçërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative etj.
Osmani, siç informoi Presidenca, theksoi se forcimi i bashkëpunimit me aleatët  mbetet prioritet kyç i politikës së jashtme të Kosovës.
“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyçe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO. Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë.”, u shpreh Osmani.
Presidentja kërkoi nga kryeministrja Šimonytė mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e në veçanti në Këshillin e Evropës, e poashtu mbështetje në bindjen e shteteve skeptike për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që vazhdimisht është përkrahur nga Lituania.
Temë e takimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe kryeministres Šimonytė ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Në këtë kontekst, Osman potencoi mbështetjen e Kosovës ndaj popullit ukrainas.
“Pozicioni i Kosovës për Ukrainën  është plotësisht në përputhje me SHBA-në, BE-në dhe të gjitha vendet demokratike. Kosova ka miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe është duke ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për popullin e Ukrainës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ajo poashtu ka përmendur tendencat e Rusisë që nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë ta destabilizojë Ballkanin./21Media

Back to top button