Osmani takon kancelarin Scholz, diskutuan për hapat e nevojshëm për të ecur përpara

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur sot se ka takuar kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz në margjinat e Lojërave Botërore të Olimpiadës “Berlin 2023”.

Osmani ka bërë të ditur se me Scholz kanë diskutuar për hapat e nevojshëm për të ecur përpara.

Ajo ka shprehur vlerësimin për mbështetjen e Gjermanisë dhe qëndrimin për lirimin e menjëhershëm të policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri.

Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe dje (17 qershor) i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.

Ndërkohë, të premten (16 qershor) në Leposaviq janë sulmuar ekipet e mediave. Policia ka informuar se në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individë dhe grupe kriminale janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale 9 gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës dhe është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë. “Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, është bërë e ditur nga PK

Back to top button