Osmani takon ministrin izraelit, kërkon t’u hiqen vizat kosovarëve

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz.

Osmani ka përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj Deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave.

Në këtë drejtim, Osmani ka shprehur edhe nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Presidentja është shprehur e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, ndërsa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve ndërshtetërore do të rikonfirmohet edhe gjatë vizitës zyrtare të Presidentes në Izrael, me ftesë të Presidentit Herzog.


Rama priti në takim ministrin izraelit, u bisedua për bashkëpunim në fushën e turizmit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama mirëpriti në takim Ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz.

Me Katz u bisedua për format e avancimit të bashkëpunimit, në veçanti në fushën e turizmit si dhe mundësitë e shpeshtimit të vizitave reciproke.

Rama bashkë me Ministrin Katz po ashtu bënë një shëtitje nëpër Prishtinë.

“Me z. Katz bëmë një shëtitje nëpër Kryeqytet duke i prezantuar vendin, kulturën e historinë tonë, të cilat i bënë shumë përshtypje mikut tonë nga Izraeli”, deklaroi Rama.

Sipas një komunikate të Komunës së Prishtinës, Ministri i Turizmit të Shtetit të Izraelit u impresionua me energjinë e vendit tonë dhe theksoi se ka dëshirë që të vijë prapë në Prishtinë./21Media

Back to top button