Osmani tha se në 1999-ën ShBA-të na shpëtuan nga vdekja prej luftës, e sot nga Covid-19

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, sot në ceremoninë e pranimit të mbi 500 mijë vaksinave Pfizer, donacion nga ShBA-të, deklaroi se sikurse në vitin 1999, ShBA-të sërish u dëshmuan krah Kosovës.
“Atëherë na shpëtuan nga vdekja prej luftës, e sot na shpëtuan nga virusi Covid dhe të gjitha variantet e tij nëpërmjet vaksinimit. Prandaj, i drejtohemi edhe njëherë nga këtu me falënderimin tonë nga zemra Presidentit Biden, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për këto dy kontigjente vaksinash që tashmë e kanë kaluar mbi 1 milion vaksina të cilat i janë dhënë donacion republikës sonë. Amerika është dhe do të mbetet mike dhe aleate e përhershme e Republikës së Kosovës!”, tha Osmani.
Presidentje tha se nuk mjaftojnë vetëm dy doza të vaksinës, prandaj ftoi qytetarët që të vaksinohen edhe me dozën përforcuese.
“Betejat sikurse kjo e Covidit kërkojnë solidaritet ndërkombëtar. Fatmirësisht, Kosova asnjëherë nuk ka qenë e vetme në këtë përballje. Në duhet të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë nga miqtë tanë, duke nisur që nga ShBA-të, nga Bashkimi Evropian, pastaj edhe shtetet individuale si Franca, Kroacia, Polonia, Shqipëria, Austria  Iniciativa COVAX, UNICEF-i e shumë e shumë organizata të tjera që kanë ndihmuar në këtë drejtim.”, u shpreh ajo.
Sot kur kemi sasi të konsiderueshme vaksinash, Presidentja tha se duhet ta rrisim shpresën dhe përpjekjen në përballje me virusin Covid.
“Sa më shumë vaksina më pak vdekje, sa më shumë vaksina më shumë optimizëm për triumf ndaj kësaj të keqeje, sa më shumë vaksinim aq më shumë shanse për hapje, ndihmë ekonomisë dhe rikthim të normalitetit. E gjithë kjo po bëhet e mundur me ndihmën e miqve tanë.”, shtoi Osmani.
Ndryshe, në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë Kosovës edhe një donacion prej 538,200 doza të vaksinave përmes iniciativës COVAX./21Media

Back to top button