Osmani udhëtoi për në Slloveni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në këtë shtet.
Kjo vizitë do t’i rikonfimojë marrëdhëniet me Slloveninë, teksa me homologun Pahor, në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, presidentja Osmani do t’i diskutojë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe raporteve ndërshtetërore.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë kësaj vizite, Osmani do të zhvillojë takime edhe me udhëheqës të Parlamentit të Sllovenisë si dhe të Këshillit Kombëtar të Sllovenisë.
“Kurse Forcave të Armatosura të Sllovenisë, Presidentja Osmani gjatë qëndrimit në këtë shtet do t`ua ndajë një dekoratë për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Republikën e Kosovës, në të cilin përgjatë viteve kanë shërbyer mijëra ushtarë slloven. Në agjendën e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Slloveni do të jetë edhe takimi me mërgatën e Kosovës në Slloveni, ligjërata e organizuar nga Qendra për Perspektivën Evropiane dhe Bled Strategic Forum si dhe pjesëmarrja në shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Arte dhe Komunitet- Artpolis, e cila do të jepet në Teatrin e Nova Goricës”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button