Osmani: Vendimtare që liberalizimi i vizave të përfundojë gjatë Presidencës çeke

(Live Update)

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka deklarur Osmani gjatë takimi me ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavský.
Presidentja Osmani ka theksuar se Çekia është aleate e rëndësishme e vendit tonë, me të cilën ndajmë vlera themelore demokratike dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike. Në vazhdë të takimeve që ka pasur Presidentja Osmani me lidershipin çek në Pragë, ka falënderuar ministrin Lipavský për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për nga presidenca, krahas temës së liberalizimit të vizave, Presidentja Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për Kosovën.
Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.
Presidentja takohet me ministrin e Jashtëm të Çekisë

Ministri i Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky, është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këtë takim mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim.
Lipavsky do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe me kryeministrin Albin Kurti, gjatë ditës.
Lipavsky paraprakisht ishte takuar edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin./21Media

Back to top button