OVL-UÇK përshëndet shfuqizimin e nenit diskriminues për veteranët

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin diskriminues të udhëzimit administrativ që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.
Sipas OVL-UÇK, ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve.
“Gjykata Supreme ka konstatuar saktë se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit, duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa duke garantuar të drejtën për të gjithë ata që punojnë në sektorin privat. Ky vendim është një konfirmim i qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore dhe se çdo përpjekje për kufizim të paarsyeshëm të të drejtave të veteranëve është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me vlerat e luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim.
OVL UÇK falënderon Gjykatën Supreme për vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme, e cila kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Përndryshe, Supremja ka rekomanduar që udhëzimi administrativ të jetë në harmoni me ligjin për veteranët, duke ua mundësuar veteranëve që janë të punësuar në sektorin privat, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë për veteranët.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?