Pacolli porositë qytetarët e Lipjanit

”Kujdes kë e votoni në zgjedhjet e ardhshme”

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, sot u ka kërkuar qytetarëve të Lipjanit që të organizohen dhe kurdo që të ketë zgjedhje të votojnë për t’i hequr nga pushtetit njerëzit që siç u shpreh ai janë pasuruar përmes hajnive, krimit e korrupsionit.

Ai theksoi se ka ardhur koha që Kosovën ta marrin në dorë rinia, ndërsa akuzoi partitë në pushtet se nuk kanë bërë asgjë për vendin dhe qytetarët, por kanë punuar vetëm për pasurimin e tyre dhe klaneve të tyre.

Pacolli shtoi se me hajni më nuk shkon, andaj qytetarët e Kosovës, por edhe të Lipjanit duhet të vetëdijësohen dhe ta parandalojnë këtë vazhdimësi. Sipas tij, qytetarët duhet të mendojnë për fëmijët e tyre, andaj duhet ta ndalojnë këtë qeverisje të keqe e të korruptuar. Madje, Pacolli ua kërkoi votën duke e quajtur partinë që udhëheq ai të vetmen alternativë për të ardhmen e tyre.

Kreu i AKR-së theksoi se vetëm një rritje ekonomike mbi 8 përqind krijon mundësi punësimi për të rinjtë e vendit. Ai shtoi se AKR ka fondin për zhvillimin e rinisë dhe ideve të tyre.

Pacolli tha se ai nuk është i interesuar për pozita në qeverisje, sepse nuk i duhen ato, pasi asnjëherë nuk ka marrë para nga shteti, porse dëshiron ta bëjë Kosovën vend të dashur për qytetarët e saj, e jo të mendojnë të gjithë se si të ikin nga Kosova. Në këtë bashkëbisedim me qytetarë të Lipjanit, u ndanë edhe libreza për anëtarë të rinj të AKR-së.

Pacolli me bashkëpunëtorë, po ashtu, gjatë ditës së sotme, vizitoi edhe fabrikën e lëngjeve, MS Quality, varrezat e dëshmorëve në Sllovi të Lipjanit, si dhe nxënësit që mësojnë gjuhen angleze të mundësuar nga Dega e AKR-së në Lipjan.

Back to top button