Pamje të ekspozitës “After Party”
Mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë, u hap ekspozita “After Party”, që sjell punën e artistëve Enkelejd Zonja dhe Vigan Nimani ndërsa është kuruar nga Zef Paci.
Kjo ekspozitë vjen në kuadër të bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, konkretisht mes dy ministrive të kulturës, si pjesë e Kalendarit të Përbashkët Kulturor.
Dy artistët përmes veprave të tyre artistike, sjellin temat e kohës, kujtesës e perceptimit, si dy shqiptarë, njëri nga Kosova dhe tjetri nga Shqipëria, të rritur ndërmjet dy kulturash të Ballkanit kundrejt realiteteve social-historike të së kaluarës. Të dy ndajnë me njëri-tjetrin por edhe me ne, qëndrimet mbi qënien njerëzore, arkitekturën, ideimin dhe gjurmën e saj, pra, maketin dhe qytetin e njëmendtë, monumentin.
Në hapje të ekspozitës mori pjesë edhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit(MKRS), Hajrulla Çeku, zëvendësministri Sejnur Veshall dhe këshilltari i ministrit, Onur Canhasi.
“Ministria e Kulturës është e përkushtuar dhe e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjithashtu në zbatimin e plotë të marrëveshjeve dhe kalendarit që janë nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar në Elbasan”, thuhet në njoftimin e MKRS.
Ekspozita “After party” do të qëndrojë e hapur deri më 27 prill 2022./21Media