Paraburgim ndaj B.A për ‘grabitje’, ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’ e ‘armëmbajtje pa leje’

 

Gjykata Themelore në Pejë sot ka informuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muaji ndaj të pandehurit B.A, për veprat penale: ‘grabitje’, ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

“Me datë 26.07.2018, rreth orës 23:20, në një lokal në Pejë, me përdorimin e kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që, i maskuar dhe i armatosur hyn në një lokal dhe nën kërcënimin e armës duke shtënë njëherë në drejtim të dyshemesë, iu drejtohet punëtorëve të lokalit, me fjalët “qiti lekët”, ashtu që dëshmitari, nxjerr nga xhepi paratë dhe ia jep të pandehurit, i cili më pas i qetë largohet nga lokali dhe i maskuar e i armatosur hyn në një market në Pejë duke iu drejtuar punëtorëve të marketit me fjalët “mos livrit, qitni lekët”, të cilët ja japin të hollat, e në ndërkohë vëren një konsumator nga i cili kërkon para dhe kur i njëjti deklaron se nuk ka para, i pandehuri shkrep njëherë me revole në drejtim të dyshemesë e më pas largohet nga marketi, por që ndiqet nga policia të cilët ishin lajmëruar nga qytetarët dhe rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes së bashku edhe me gjësende tjera, është gjetur edhe arma e përdorur nga i pandehuri. Me këto veprime i pandehuri kishte për të kryer veprat penale grabitje nga neni 329, par. 3, të ish –  KPRK-së, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365, par. 1, të ish – KPRK-së dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374, par. 1, të ish – KPRK-së.”, informoi gjykata përmes komunikatës.

Të pandehurit B.A i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji pas që, gjykata vlerësoi se ekziston baza e dyshimit se i pandehuri ka kryer veprën penale, për të cilën dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen dëshmitarët.

“Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë vepër të natyrës së njejtë apo të ngjashme. Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.”, informoi tutje gjykata.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media

Back to top button