Paraburgim ndaj J.R. për “Lëndim të rëndë trupor”

Gjykata Themelore e Ferizajt sot ka informuar se është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji kundër të pandehurit J.R. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 1 tetor 2021 në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dëmtuarën E.B. me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor përdorë forcë ndaj të dëmtuarës, në atë mënyrë që përderisa e dëmtuara kishte qenë duke shkuar për në shtëpi, pa asnjë paralajmërim i pandehuri i del në rrugë ku fillimisht e fyen me fjalë më banale, e pastaj e godet me grushta dhe shkelma në fytyrë dhe në të gjitha pjesët e trupit, ku si pasoje e këtyre goditjeve e dëmtuara pëson lëndime trupore, për te cilat posedon raporte mjekësore.”, ka informuar Gjykata.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media

Back to top button