Paraburgim për personin që mashtroi për punësime në KEK

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Xh.P. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale mashtrimi.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri nga data 13.11.2020 deri më 12.02.2021, në vende  të  ndryshme duke  vepruar në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të dyshuarin D.R. i cili gjendet në arrati, përmes  paraqitjes së rreme të fakteve dhe me veprime mashtruese duke u paraqitur si persona me ndikim dhe si truproje të ministrit, dhe si menaxher të KEK, i premtojnë të dëmtuarit L.G. se do ta punësojnë atë dhe djalin e tij në KEK apo në PTK dhe në këtë mënyrë e vënë në lajthim të  dëmtuarin  duke e nxitur që të veprojë në dëm të pasurisë së  tij, në atë mënyrë që i njëjti ua paguan shumën e tërësishme  prej 10,000 euro në emër të punësimit në KEK”, thuhet në njoftimin e Gjyatës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaj./21Media
 
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Back to top button