Paralajmërimi për grevë, Nagavci: Do të kemi pengesa, por programin do ta çojmë në fund

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se për një vit e gjysmë kanë realizuar një mori punësh se kanë nisur reformat për të cilat ajo thotë se janë zotuar.
Nagavci ka thënë se, i janë përgjigjur edhe shumë emergjencave që vijnë si rezultat i gjendjes në të cilën gjendet arsimi në vend.
“Gjatë kësaj kohe kemi marrë një sërë masash e veprimesh të cilat ndihmojnë direkt mësimdhënësit: Për herë të parë kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore – 1.7 milionë euro janë ndarë, ku përfitojnë rreth 300 mësimdhënës. Kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit që janë tepricë teknologjike që të mos i lëmë pa punë. 1600 mësimdhënësve ju kemi ruajtur normat dhe jemi duke punuar që mësimdhënësit të mos rrezikojnë vendet e punës e po punojmë njëkohësisht edhe për riplanifikim e kujdes për buxhetin. Sivjet kemi punësuar 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta – për vitin që vjen + 300 asistentë tjerë, për të cilët tashmë është planifikuar buxheti. Ndër tjera kemi zgjidhur problemin me norma, psh. në Komunën e Fushë Kosovës – ky problem ka qenë më shumë se 10 vjet. Në buxhetin e vitit 2023 tashmë janë paraparë më shumë se 150 norma të stafit arsimor për këtë komunë. Në Projektligjin e ri për paga i cili është në diskutim paraprak, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë”, ka thënë Nagavci.
Nagavci ka thënë se “në raport me ligjin e kaluar kemi ngritje të koeficientëve në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollave”.
“Kemi eliminuar padrejtësitë e shumë punonjësve të sektorit të arsimit si biblotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar. Jemi duke punuar maksimalisht që të përmirësojmë kushtet e punës në shkolla e t’ i pajisim me kabinete, laboratore e salla sportive. 14 shkurti ka qenë moment i kthimit të madh për rregullimin e secilit sektor shoqëror tashmë të dëmtuar rëndë, ndër të cilët pothuajse më së rëndi ky i arsimit. Dhe padyshim fajtorët nuk janë anonim. Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale, por çdo ditë po marrim iniciativa e vendime që do të na nxjerrin përfundimisht nga kjo gjendje. Kemi e do të kemi pengesa, por kemi edhe vullnetin e hekurt që besimin që kemi marrë nga qytetarët për programin tonë ta çojmë deri në fund”, përfundoi Nagavci./21Media

Back to top button