Paratici për Conten: Ai mund të sjellë suksese te Tottenham
Tanimë është bërë zyrtare që italiani Antonio Conte do të jetë në postin e trajnerit te skuadra angleze Tottenham Hotspur.
Kjo e fundit e bëri zyrtare emërimin e Contes sot, duke bërë të ditur që italiani ka nënshkruar kontratë me “Gjelat” deri në qershor të vitit 2023.
Pas marrjes së detyrës, Conte u shpreh tejet i entuziazmuar me projektin e ri në krye të skuadrës londineze, ku përsëri do të punojë me Fabio Paraticin, me të cilin kishte punuar tre vite te gjigandi italian Juventus.
Po ashtu, rreth kësaj ka folur edhe drejtori sportiv i Tottenham Paratici, i cili tha që Conte me kualitetet e tij mund t’i sjellë suksese skuadrës nga Premier Liga angleze.
“Historia e Contes flet vet, me një eksperiencë të madhe dhe trofe të fituar në Itali dhe në Angli. I njoh shumë mirë kualitetet të cilat Antonio mund t’i sjellë te ne, kam punuar me të te Juventusi, dhe mezi pres që të punojë me të këtu”, tha Paratici.
Conte merr drejtimin e skuadrës së Tottenham në xhiron e 10 të Premier Ligës angleze, ku e gjen atë në pozitën e nëntë në tabelë me gjithsej 15 pikë, pas pesë fitoreve dhe pesë humbjeve të regjistruara.