Partitë që kanë shpenzuar më së shumti për fushatë

Koalicionet PDK- AAK- Nisma dhe LDK- AKR- Alternativa shpenzuesit më të mëdhënj

Demokracia Plus dhe Çohu kanë prezantuar sot të dhënat lidhur me shpenzimet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe sipas tyre koalicionet PDK- AAK-NISMA dhe koalicioni LDK- AKR- Alternativa janë shpenzuesit më të mëdhenj gjatë kësaj fushate 4 ditore.

Në bazë të të dhënave që kanë dal nga ky hulumtim nga monitorimi 4 ditor për shpenzimet gjatë fushatës zgjedhore koalicioni PDK-AAK- Nisma ka rezultuar të jetë shpenzuesi më i madh me spote televizive me gjithsej 55 mijë euro të harxhuara, ndërsa LDK-AKR-Alternativa për spote televizive ka shpenzuar gjithsej 25 mijë euro.

Përfaqësuesi nga Demokracia Plus, Isuf Zejna tha qëllimi i këtij monitorimi është krahasimi i shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore me çmimet në treg.
Sipas Zejnës përveç monitorimit në teren këto dy organizata monitorojnë edhe shpenzimet e partive politike në media, dhe sipas tij ka rënie të shpenzimeve të partive politike në gazeta në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
“Shpenzimet e partive politike për dallim me zgjedhjet e kaluara ku në gazeta është bërë një pjesë e madhe e marketingut të partive politike kësaj here këto shpenzime janë dukshëm më të ulëta, prinë koalicioni LDK-AKR-Alternativa me rreth 3700 euro të shpenzuara për 4 ditë, pastaj përcillet nga koalicioni PDK- AAK-NISMA ka gjithsej 3250 euro, derisa Vetëvendosje ka shumë edhe më të vogël rreth 260 euro”, tha Zejna.

Rezultatet që kanë dal nga monitorimi i shpenzimeve të partive politike në televizione kanë treguar se në ditën e parë prinë koalicioni PAN me gjithsej 4200 euro shpenzime vetëm për spote televizive, ndërkaq LDK, AKR- Alternativa ka shpenzuar gjithsej 700 euro në ditën e parë të monitorimit.

Çohu dhe Demokracia Plus kanë monitoruar edhe mediat online dhe sipas rezultateve prinë PAN me gjithsej 23 mijë euro, pastaj renditet LDK-AKR-Alternativa me gjithsej 20 mijë euro.
Zejna tha se një shumë e madhe e shpenzimeve bëhet edhe për transmetime direkte.
“ Sipas vlerësimeve tona PDK-AAK-NISMA për 4 ditë kanë harxhuar rreth 36 mijë euro, për transmetime direkte, LDK-AKR-Alternativa 44 mijë euro, përderisa Vetëvendosje 28 mijë euro”, shtoi ai.

Ndërkaq përfaqësuesi i organizatës Çohu, Genc Nimoni tha se për këtë monitorim janë mbuluar gjithsej 24 komuna nga gjithsej 22 monitorues, me qëllim të identifikimit të materialeve të cilat kanë kosto.

Sipas Demokracia Plus dhe Çohu, partitë politike për një tubim të madh zgjedhor shpenzojnë gjithsej 3 mijë deri në 7 mijë euro.
Gazetat e monitoruara janë: Zëri, Kosova Sot, Epoka e re, etj, nga televizionet e monitoruara janë RTK, Klan Kosova, Kohavision, RTV21, dhe disa nga portalet.

Back to top button