Pas aksidentit të autobusit, zyrtari i Kosovës në Beograd është nisur drejt Krushevcit

Një autobus i “Zhitia Turist” me udhëtarë nga Kosova është rrotulluar në afërsi të Krushevcit, mbrëmjen e sotme rreth orës 22:00.

Nga ky incident disa prej udhëtarëve kanë marrë lëndime të lehta dhe për fat nuk ka pasur viktima. Për portalin rtv21.tv kjo u konfirmua nga kompania “Zhitia Turist”.

Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se një zyrtar i tyre ka udhëtuar drejt vendit të ngjarjes, teksa bënë të ditur se janë 9 udhëtarë që kanë pësuar lëndime.
“Sipas informatave të para, janë 9 udhëtarë të lënduar në spital dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojnë udhëtimin për në Graz. Zyrtari ynë ndërlidhës është rrugës për në spitalin e Krushevcit për t’i vizituar të lënduarit. Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident”, thotë ndër të tjera kjo komunikatë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në lidhje me aksidentin, mediat serbe raportuan se bëhet fjalë për 11 të lënduar, të cilët janë dërguar për trajtim në Spitalin e Krushevcit, shkruan “Novosti.rs”.
Sipas kompanisë, shkak i aksidentit ishte rruga e rrëshqitshme dhe kushtet e vështira atmosferike./21Media
Back to top button