Pas helmimit, Prokuroria po i heton dy serbë që u panë në Deçan

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se janë identifikuar dy serbët të cilët ishin parë në Komunën e Deçanit pak ditë para helmimit të qytetarëve të kësaj komune nga uji i pijes.
Bëhet e ditur se po punohet që të verifikohet nëse ata kishin lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në këtë komunë.
Identifikimin, bazuar në pamjet e ofruara nga kamerat e sigurisë, Prokuroria ka thënë se e ka bërë në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se, lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb, menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore të Pejës.
Sot githashtu është arrestuar edhe një roje i pyllit në Deçan për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Arrestimi i tij lidhet me helmimin e qytetarëve të kësaj komune.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi për portalin rtv21.tv ka thënë se i dyshuari ka qenë person përgjegjës i Laures 1 te Gryka e Deçanit./21Media

Back to top button