Pas ndarjes gjuajti me armë te shtëpia e ish të dashurës

Faton Tasholli po akuzohet për armëmbajtje pa leje pasi që sipas aktakuzës gjuajti me armë pranë shtëpisë së ish të dashurës

Në gjykimin për armëmbajtje pa leje të Faton Tashollit, ish e dashura e tij dhe e dëmtuara e këtij procesi S. D., por edhe babai dhe xhaxhai i saj dëshmuan për të shtënat afër shtëpisë së tyre në janarin e vitit 2011, shkruan kallxo.com

Për këto të shtëna prokuroria e akuzon Faton Tashollin, ndërsa e dëmtuara S. D. tha në gjykatë se pas gjuajtjeve me armë e pranoi një mesazh telefonik nga Tasholli.

“Kësaj radhe kam shtënë në ajër e herëve të tjera kur të vi kam me të mbyt ty, ose dikë tjetër”, thuhej në mesazhin që kishte marrë S. D.

Babai i saj B. D. tha se vajza e tij u nda nga i akuzuari Tasholli, pasi ai u bë i dhunshëm ndaj saj.

“Vajza në shkollë të mesme është njohur më të akuzuarin. Njëherë në shtëpi ka ardhur vajza e lënduar në kokë, mua më ka thënë se ka pësuar lëndime gjatë transportimit me autobus por më vonë e kam kuptuar se këto lëndime i janë shkaktuar nga tashmë i akuzuari Faton Tasholli”, tha B. D.

Ai tregoi se i akuzuari disa herë i kishte dërguar njerëz për të treguar se do të ndërronte sjelljet ndaj S. D., por këtë sipas B. D. nuk e kishte bërë.

B. D. më pas tregoi se vajza e tij nuk kishte shkuar në shkollë dy muaj për shkak të kanosjes nga i akuzuari.

“Njëherë ka qenë në shtëpi dhe në shkollë në mënyrë të dhunshme e përreth shtëpisë me qindra herë. E në rastin e fundit ka ndodhur kur ka shtënë me revole në ajër për të na frikësuar në mëngjes diku rreth 60 metra larg shtëpisë sime”, tregoi dëshmitari.

A. D., xhaxhai i të dëmtuarës S. D. ishte ai që lajmëroi në polici për të shtënat e vitit 2011.

“Deri sa kam qenë në shtëpi diku rreth orës 24:00 ka ardhur dikush dhe ka shtënë me armë. Familja ime dhe fëmijët janë shqetësuar prandaj të nesërmen kam shkuar në polici dhe kam dhënë deklaratë, pasi që ka qenë errësirë nuk kam mundur të shoh asgjë tjetër”, tha A. D.

Pastaj në fjalën përfundimtare prokurori Hivzi Bajraktari duke u ndërlidhur me mesazhin që mori e dëmtuara, kërkoi dënimin e të akuzuarit, duke thënë se i qëndron besnik në tërësi aktakuzës.

Por aktakuzën e prokurorit Bajraktari, Sadije Mjekiqi, avokatja e Faton Tashollit e konsideroi të ngritur vetëm në bazë të dyshimeve, duke kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij.

“Që nga fillimi e kam kuptuar se kemi të bëjmë me një aktakuzë e cila është ngritur në bazë të dyshimeve dhe hamendësimeve, e jo me argumente, sepse nga të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve kemi arritur të vërtetojmë se ato deklarata janë të papërputhshme. Jam e bindur që gjykata do të marrë për bazë këtë dhe do të marrë një aktgjykim lirues në mungesë të provave”, tha Mjekiqi.

Faton Tasholli akuzohet se nga një datë e pacaktuar deri në janar të vitit 2011 ka mbajtur në pronësi një pistoletë të kalibrit 9 milimetra të cilën e ka përdorur në fshatin Krajishtë të Komunës së Lipjanit për ta frikësuar ish të dashurën.

Sipas aktakuzës, Tasholli më pas armën ia kishte shitur kushëririt të tij.

Back to top button