Pas përmbytjeve, Guterres kërkon që Pakistani të ndihmohet

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka kërkuar që Pakistani të ndihmohet pas përmbytjeve atje, si pasojë e shirave të musonit.
Shirat e dendur gjatë dy muajve kanë shkaktuar përmbytjet më të këqija në më shumë se një dekadë dhe kanë dëmtuar më shumë se një milion shtëpi.
“Populli pakistanez po përballet me një muson mbi steroidet – ndikimi i pamëshirshëm i niveleve epokale të shiut dhe përmbytjeve. Më thyhet zemra të shoh këta njerëz bujarë duke vuajtur kaq shumë”, ka thënë Guterres.
OKB-ja ka lëshuar një apel urgjent për 160 milionë dollarë ndihmë.
“Njerëzit që jetojnë në këto pika të nxehta [kriza klimatike] kanë 15 herë më shumë gjasa të vdesin nga ndikimet klimatike. Ndërsa ne vazhdojmë të shohim gjithnjë e më shumë ngjarje ekstreme të motit në mbarë botën, është skandaloze që veprimet klimatike po vihen në prapavijë, duke na vënë të gjithëve, kudo, në rrezik në rritje”, përfundoi Guterres.
Në Pakistan, provincat Balochistan dhe Sindh kanë pasur më shumë se katër herë më shumë se mesatarja e reshjeve të tre dekadave të fundit./21Media

Back to top button