Pas raportimit se po u merr prapë nga 30 euro qytetarëve, prokuroria nis hetimet ndaj “VisaMetric”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj  “Visa Metric”,.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj tha për portalin rtv21.tv kjo kompani po hetohet për “Mosekzekutim të vendimeve gjyqësore”.

“Referuar kërkesë së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Laureta Ulaj.

Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës ia kishte ndaluar kompanisë Visametric që t’ua merrte qytetarëve nga 30 euro për shërbimin postar të dërgimit të pasaportës. Megjihatë edhe pas këtij vendimi, Portali rtv21.tv raportoi ditë më parë se qytetarët po vazhdojnë t’i paguajnë nga 30 euro.

Të enjten Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka urdhëruar kompaninë VisaMetric që të rimbursojë qytetarët për “pagesa të paarsyeshme”, si për shërbimin e dërgesës me postë të pasaportës në shumën prej 30 eurosh.

MINT njoftoi se Inspektorati i Tregut ka mbledhur të gjitha provat dhe ka iniciuar procedurën kundërvajtëse në gjykatën kompetente ndaj operatorit ekonomik VisaMetric./21Media

Back to top button