Udhëheqësit ndërkombëtarë do të zhvillojnë bisedime këtë të diel për të rritur ndihmën për Bejrutin pas shpërthimit masiv që shkatërroi kryeqytetin libanez të martën.

Konferenca virtuale e thirrur nga Franca dhe Kombet e Bashkuara pritet të fillojë në orën 14:00 me kohën e Libanit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ai planifikon t’i bashkohet thirrjes, transmeton rtv21.tv.

Zyrtarët vlerësojnë se shpërthimi në depo, i cili ruante 2.000 ton nitrat amoniumi, shkaktoi dëme deri në 15 miliardë dollar.

Shpërthimi la të paktën 158 njerëz të vdekur, 5,000 të plagosur dhe 300,000 të pastrehë.

Të shtunën disa mijëra njerëz dolën në rrugë, me policinë që gjuante gaz lotsjellës ndaj protestuesve që hidhnin gurë dhe disa demonstrues që sulmuan ministritë e qeverisë.

Në një fjalim televiziv, kryeministri libanez, Hassan Diab tha se ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme si një rrugëdalje nga kriza. Sipas tij çështja do të diskutohet në kabinet të hënën.

Libani ishte bllokuar tashmë në një krizë të thellë ekonomike dhe po përpiqej të merrej me pandeminë e koronavirusit para shpërthimit në Bejrut./21Media