PDK ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me shtatë parti të vogla

 

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot ka lidhur koalicione me shtatë parti politike.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se koalicioni është tërësisht perëndimor, evropian dhe së bashku do të orientohen drejt ekonomisë së zhvilluar të tregut.

Ai u shpreh se ndjehet i nderuar për aderimet e reja në PDK dhe tha se ky është vetëm fillimi pasi që do të ketë edhe marrëveshje të tjera me parti të tjera.

Veseli tha se do të fokusohen që me fillim të ri t’i japin një dinjitet të merituar gruas dhe të rinjve.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar me përkrahjen gjithnjë e më të madhe të cilën e kemi nga qytetarët e vendit tonë. Entuziazmi për fillimin e ri është më shumë se një fushatë politike, është fillimi i ri në besimin që qytetarët e këtij vendi kanë në atdheun e vet, te Kosova jonë, për të ecur përpara, për një Kosovë që është e zhvilluar ekonomikisht dhe që iu jep shanse të barabarta të gjithë qytetarëve e në mënyrë të veçantë rinisë dhe gruas. E në të njëjtën kohë dinjitetshëm dhe krenarë të jetë i integruar edhe në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, u shpreh Veseli.

Veseli theksoi se Kosova ka nevojë për një lidership të ri dhe se janë qytetarët ata që me votën e tyre do ta mundësojnë një gjë të tillë.

I pari i PDK-së po ashtu u shpreh se me fillimin e ri do të ketë fillime të reja në bujqësi, në prodhim e madje edhe në integrimin e shtetit të Kosovës në NATO. Ai konsideroi se kjo do të jetë detyra e shenjtë e fillimit të ri.

Partia e parë që nënshkroi marrëveshjen e koalicionit me PDK-në sot ishte ajo e Drejtësisë. Kryetari i kësaj partie, Ferid Agani u shpreh se koalicioni i arritur sot mes PDK dhe PD është një vazhdimësi e bashkëpunimit dhe përkushtimit në të mirë të vendit.

Ai tha se janë dakorduar që PD do reformojë sistemin e shëndetësisë, sipas tij, punën që e kanë lënë në gjysmë para tri vitesh.

Kurse kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati tha se duke u nisur nga bashkëpunimi i deri më tashëm kanë vendosur të vazhdojnë partneritetin me PDK-në për fuqizimin e Kosovës dhe për integrim.

Ai u shpreh se nga partneriteti i mëparshëm Lëvizja për Bashkim ka arritur që t’i ruaj karakteristikat e veta dhe se kjo do të vazhdojë edhe në vazhdimësi.

Sipas Edita Tahirit nga ADK, ajo që i bën të vazhdojnë koalicionin me PDK-në është vizioni për ta bërë Kosovën një shtet të suksesshëm dhe të integruar. Ajo u shpreh se partneriteti me PDK-në ka gati një dekadë dhe se partneriteti në fjalë ka pasur rezultate shumë të mira për vendin.

Tahiri vlerësoi se është vendim historik që kombin e kanë drejtuar kah perëndimi dhe se ajo që i ka bashkuar në këtë koalicion janë idealet për kombin dhe shtetin.

PDK sot lidhi koalicion edhe me Partinë Republikane të Kosovës me ç’rast kryetari i kësaj partie Faton Kurti, tha se partneriteti me PDK-në është kënaqësi dhe se do të përkushtohen për një Kosovë më të mirë.

Veseli u shpreh se arritja e partneritetit me Kurtin është e veçantë për faktin se bashkëpunojnë të djathtët me republikanët. Ai tregoi se Kurti është anëtar i republikanëve në SHBA.

Ndryshe, PDK sot ka nënshkruar marrëveshjet e koalicionit me Partinë e Drejtësisë, Lëvizjen për Bashkim, Balli Kombëtar, Partia Liberale e Kosovës, Alternativa Demokratike e Kosovës, Partia Konservatore, Partia Republikane e Kosovës.

Back to top button