Vazhdojnë hetimet për sulmin masiv kibernetik javën e kaluar

Koreja e Veriut përgjegjëse për sulmin kibernetik?

Kompanitë për siguri janë të mendimit se po shtohen indikacionet për përfshirjen e mundshme të Koresë së Veriut në sulmet kibernetike anembanë botës javën e kaluar.

Në përfundimet paraprake për sulmin gjithëpërfshirës kibernetik, me anë të së cilit u bllokuan me qindra mijëra kompjuterë në 150 vende të botës, hetuesi i kompanisë Google, Nik Mehta, publikoi kodin kompjuterik, i cili dëshmoi se ekzistojnë ngjashmëri mes virusit “Vona Kraj” dhe aksionit të hakerëve në vitin 2014, për të cilin shumë ekspertë fajësuan Penianin, shkruan rtv21.tv

Ekspertët tjerë menjëherë reaguan pas publikimit të këtij raporti, duke theksuar se edhe pse nuk është një përfundim definitiv, Koreja e Veriut me gjasë qëndron edhe prapa sulmit të javës së kaluar.

Hetuesit në kompaninë e sigurisë Kasperski, me seli në Rusi, theksuan se është kjo gjurma deri me tani më e rëndësishme sa i përket prejardhjes së virusit, gjurmë kjo për të cilën shumë ekspertë janë të mendimit se mund të shërbejë si çelës për zgjidhjen e enigmës. Ekspertët në këtë firmë theksuan se nevojiten hulumtime shtesë të versioneve më të vjetra të viruseve.

Ata më tutje shpjeguan se ngjashmëritë në kod sugjerojnë se në këtë sulm mund të jetë i përfshirë grupi i hakerëve, i njohur me emrin Llazarus, i cili qëndron prapa sulmit kibernetik kundër kompanisë Soni Pikçërs, për të cilin sulm është fajësuar Koreja e Veriut.

Edhe kompania Intezer Labs, me seli në Izrael, pajtohet me supozimin se Koreja e Veriut është e lidhur me virusin Vona Kraj dhe kjo kompani ka paralajmëruar se së shpejti do të publikoi informata të reja në lidhje me këtë çështje.

Siç dihet, sulmi gjithëpërfshirës kibernetik i javës së kaluar bllokoi kompjuterët e spitaleve, bankave, shkollave. Ministrive, të stacioneve hekurudhore anembanë botës./21Media

Back to top button