PDK kërkon që deri të premten të shkarkohet ministrja Rozeta Hajdari 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, sot në një konferencë për media i kanë kërkuar Kryeministrit shkarkimin e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Tahiri ka thënë se Rozeta Hajdari ka bërë disa skandale të vazhdueshme për të cilat as nuk ka dhënë llogari as përgjegjësi.

E fundit është aktakuza që është ngritur ndaj saj për mosdeklarim të pasurisë. Tahiri ka thënë se një ministre e cila nuk e deklaron pasurinë, në krye të shumë skandaleve të tjera, duhet të shkarkohet.

“Në kodin e procedurës penale që ne kemi miratuar në Kuvend, parashihet suspendimi i zyrtarëve të lartë publik të cilët kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Sot, Vetëvendosje e ka një ministre e cila ka aktakuzë për mos deklarimin e pasurisë, atëherë çfarë roli ka kodi i procedurës penale që ne e kemi miratuar? Kjo është e paparanueshme”, ka thënë Tahiri.

Tahiri, sipas komunikatës, ka kërkuar nga Kryeministri që ta shkarkojë ministren deri të premten.

“Përndryshe, do të nisim një Mocion përmbajtësor në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkojmë përmes seancës votimin e një rezolute që i bën thirrje Kryeministrit ta shkarkoj Rozeta Hajdarin”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, sipas deputetes Blerta Deliu-Kodra, ministrja Hajdari pas të gjitha skandaleve që i ka bërë, nga skandali i kompanisë ndërtimore që blen grurë, shkelja e fëmijës me veturë, promovimi i Kosovës në revistën francese si vend ku kanë lindur manastiret serbe dhe deri te mosdeklarimi i pasurisë – duhet ta bindin Kryeministrin që ta shkarkojë atë.

“Ministrja Hajdari ka pasur skandale të panumërta dhe, së fundmi, ne kemi kërkuar ta shohim padinë të cilën thuhet se e kanë bërë ndaj revistës franceze. Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari ka thënë se kanë filluar proceduar për padi, por rezultate nuk kemi parë në lidhje me promovimin e Kosovës si vend ku lindën manastiret serbe. Pas të gjitha këtyre skandaleve, ajo duhet të shkarkohet nga Kryeministri”, ka shtuar Deliu-Kodra.

Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë. Lajmin për rtv21.tv dje e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Mund t’iu konfirmojmë se prokurori i çështjes, pas zhvillimit të hetimeve, më 13.10.2022, ka ngritur aktakuzë kundër R.H., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila aktakuzë është proceduar për trajtim të mëtejmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka thënë Ulaj.

Në mars të këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.
Sipas Agjencisë, ministrja Hajdari dyshohet për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button