PDK nuk merr pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

 
Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën plenare ku në rend dite është votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Këtë e ka bërë të ditur deputetja Blerta Deliu-Kodra, e cila në një konferencë për media ka kritikuar partinë në pushtet për rishikimin e buxhetit të cilin e miratoi kuvendi sot. Sipas saj, rishikimi i buxhetit nuk i adreson interesat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Deputetja e PDK-së ka thënë që si rezultat i shqetësimeve që kanë ngritur sa i përket rishikimit të buxhetit, kjo parti nuk merr pjesë në seancën e sotme plenare.
“Tash po pritet të fillojë seanca plenare e paraparë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Partia Demokratike e Kosovës, si rezultat i këtyre shqetësimeve, për shkak të rritjes së borxhit publik e në dëm të qytetarëve të Kosovës, e për shkak që kjo qeveri ndan mjete për të rritur lluksin e saj e të zyrtarëve të saj e dëmton qytetarët e Kosovës, ne si subjekt politik nuk do të marrim pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Deliu-Kodra.
Lidhur me rishikimin e buxhetit, Deliu-Kodra tha se i njëjti nuk i adreson as pikat që vet qeveria i ka paraparë në programin e saj.
Sipas saj, nuk ka një plan të qartë për mbështetje të qytetarëve për rimëkëmbje ekonomike.
“Kemi parë që ka një tendencë për diskriminim të komunave, ku nuk qeveris Lëvizja Vetëvendosje dhe këtë e kemi thënë edhe sot në seancë, vërehet që në rishikimin e buxhetit në ato komuna ku nuk qeveris Lëvizja Vetëvendosje apo partia në pushtet vërehet një diskriminim i qartë dhe një tendencë që ky buxhet, ky rishikim i buxhetit të orientohet dhe të jetë pikë së pari qëndrim që të destinohet për fushatën e zgjedhjeve lokale e cila pritet të mbahet në muajin tetor”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Ajo ka thënë se me rishikimin e buxhetit, partia në pushtet nuk ka ofruar bashkëpunim me opozitën.
“Përmes këtij rishikimi të buxhetit po rritet edhe borxhi publik, një gjë e tillë është rrezik për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e përgjithshëm shoqëror e shtetëror. Njëkohësisht ne kemi parë edhe një tendencë të qartë për keqpërdorimin e parasë publike, e dini të gjithë rastin e tiketës ngjitëse prej 5 euro, vendim të cilin e tërhoqi qeveria, apo kontratat e panumërta burimore që i kemi bërë të qarta gjatë gjithë kohës në qëndrimet tona, me çrast qindra mijëra euro të taksa paguesve të Kosovës po shkojnë në të preferuarit e partisë që është në pushtet”, ka shtuar ajo.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 69 vota për kanë miratuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore, për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

Back to top button