Kaloni te përmbajtja kryesore

PDK: Refuzimi i mbrojtjes në liri për krerët e UÇK-së në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut

PDK vlerëson se refuzimi i kërkesës për mbrojtjen në liri për Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nga Dhomat e Specializuara në Hagë cenon të drejtat themelore të njeriut të të akuzuarve.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda në një konferencë për media tha se mbajtja e tyre  së bashku me ish-Presidentin Thaçi, për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim, përbën një shkelje flagrante të standardeve të drejtësisë perëndimore,

“standarde të cilat kemi besuar se do të respektoheshin me përpikëri nga kjo gjykatë. Pas përfundimit të fazës së Prokurorisë, kur çdo argument për ndonjë rrezik të mundshëm për ndikim në proces ka rënë, lirimi me kusht nuk do të duhej të ishte një privilegj, por një e drejtë e patjetërsueshme”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbështetur që nga fillimi themelimin dhe funksionimin e papenguar të Gjykatës Speciale, me bindjen e plotë se aty do të garantoheshin e drejta për një gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm – si gurthemel i lirive dhe të drejtave të njeriut.

PDK vlerëson se një gjykatë e tillë në zemër të Evropës nuk do të duhej të shndërrohej në një mekanizëm të përndjekjes, aq më pak në emër të drejtësisë dhe viktimave të luftës.

“Z. Thaçi, z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi nuk janë aty thjesht si qytetarë të akuzuar, por si liderë të luftës për liri, arkitektë të pavarësisë dhe ndërtues të institucioneve demokratike të Kosovës. Ne kërkojmë një gjykim të drejtë, të bazuar në standardet e vendeve demokratike, nga të cilat vijnë edhe gjyqtarët e kësaj gjykate. Prandaj, ne kërkojmë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, kërkojmë që humanizmi të mos zhduket përballë paragjykimeve, dhe që ligji të mos shtypet në emër të drejtësisë. Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë thirrje Dhomave të Specializuara, faktorit ndërkombëtar dhe atyre që financojnë gjykatën të veprojnë me përgjegjësi dhe respekt për të drejtat themelore të njeriut”, shtoi Gruda.

Gruda u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin rol aktiv në ofrimin e garancive për të akuzuarit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button