PDK shkëput koalicionin me LVV-në në Gjilan dhe Podujevë, shkak masat e BE-së

Partia Demokratike e Kosovës ka shkëputur koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje në nivelin lokal në Gjilan dhe Podujevë, siç tha partia, për shkak të “situatës në vend dhe sanksionet që tashmë po i vuajnë shteti dhe qytetarët tanë”.

Në njoftimin për shkëputje, PDK tha se këto vendime vijnë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike e Kosovës, ku u vendos që të shkëputet çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Albin Kurtin dhe me presidenten Vjosa Osmani.

“Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, të mbajtur më 3 korrik, pasi është diskutuar gjatë për situatën në vend dhe sanksionet që tashmë po i vuajnë shteti dhe qytetarët tanë, ishte dakordim i përgjithshëm se kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke shkatërruar çdo të arritur në Kosovë të këtyre dy dekadave dhe janë duke e dërguar vendin drejt konfrontimit me aleatët që kanë qenë mbështetësit kryesor të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, duke e rrezikuar të ardhmen e shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim. /21Media

Back to top button