PDK: VV në krye me Kurtin e përzuan Dua Lipën

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili e ka quajtur të dhimbshme “përzanjën” e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë.
Ismaili përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se anulimi i tij është për faj të VV-së në krye me Albin Kurtin.
“E dhimbshme, e pabesueshme përzanja e Sunny Hill Festival nga Prishtina. Festivali që mban emrin e lagjes Bregu i Diellit në Prishtinë, lagjen e Dua Lipa-s, nuk u lejua të mbahet në Prishtinë.
Faji dihet, nuk është jetim. Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin sot ja mbylli derën pa asnjë hezitim të vetmit festival që mbledh rininë dhe sjell të gjithë botën në Prishtinë. Për më tepër, e konsiderojnë fitore dhe gëzim. Marre”, ka shkruar ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar pas këtij lajmi duke kërkuar dorëheqjen e kësaj Qeverie. Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, akuzoi Qeverinë në krye me Albin Kurtin se për shkak të saj Kosova e humbi një festival që e promovonte Kosovën dhe që i njëjti shkoi në Tiranë.
Festivali më i madh që u organizua disa herë në Kosovë, “Sunny Hill”, sivjet nuk do të mbahet në Kosovë. Lajmin për  portalin RTV21 e ka konfirmuar Alban Kastrati, i cili ka thënë se ”Sunny Hill Festival” do të mbahet në Tiranë këtë vit.
Themeluesi dhe organizatori i Sunny Hill Festival, Dukagjin Lipa përmes një postimi në ”Facebook”, ka treguar se iu kanë adresuar letër krerëve të shtetit, mirëpo krahas gjithë përpjekjeve të tyre, sipas tij, ata janë gjetur peng i politikëbërjes në kurriz të këtij festivali.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas dështimit të mbajtjes së Festivalit ”Sunny Hill” në Prishtinë. Rama e ka fajësuar Qeverinë për zvarritje, madje sipas tij, ky anulim do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Rama ka thënë se pret nga Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit.
Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama  e ka quajtur lajm të mirë që ”Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Tiranë.
Krahas reagimeve të shumta nga përfaqësuesit e këtij fstivali, ka reaguar edhe Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë. Sveçla ka shkruar se duhet të mirëpritet heqja dorë e ”Sunny Hill” nga insistimi për 99 vjet pronë.
Sunny Hill Festival përmes faqes zyrtare ka treguar se personat të cilët i kanë blerë biletat mund t’i shfrytëzojnë në Tiranë, ndërsa ata të cilët nuk kanë mundësi të jenë në Tiranë, kanë mundësi të rimbursimit të biletave, ku dritarja e rimbursimit do të hapet nga 1 korriku deri më 15 korrik./21Media

Back to top button