PE: Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të bazohet në njohjen reciproke

Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.
Ky vlerësim u prezantua gjatë votimit për amendamentin në raportin përfundimtar për Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit (AFET).
Për këtë raport votuan 50 anëtarë të AFET-it, pesë ishin kundër dhe tre abstenuan.
Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.
Autoriteteve në Beograd u kërkohet të “tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.
Vladimir Bilçik, raportuesi i përhershëm për Serbinë në PE dhe autori i tekstit, tha pas votimit se dëshira e tij është që pas zgjedhjeve të prillit dhe luftës së agresionit rus, partnerët në Serbi të kuptojnë se sa urgjente është të shkohet para në rrugën e tyre evropiane.
“Mund të bëhet më shumë për të ecur me vendosmëri drejt BE-së dhe si raportues i PE-së jam i gatshëm të punoj së bashku me lidershipin e ri në Beograd për të ndihmuar në arritjen e ndryshimeve pozitive për Serbinë evropiane”, tha Bilçik./rel

Back to top button