Peci: Kemi instaluar meritokracinë që bujqve tanë t’iu ulen shpenzimet e kultivimit

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në kuadër të vizitave të tij në teren me qëllim të vëzhgimit nga afër të punës së ndershme të fermerëve vendor, sot takoi dy familje në zonën e Mitrovicës.

Peci u shpreh se përveç se kanë rritur përkrahjen financiare, gjithashtu kanë instaluar meritokracinë, gjë e cila ka bërë që bujqve t’iu ulen shpenzimet e kultivimit e mbarështimit, falë dorës së shtetit.

“Ministri Peci vizitën e parë e realizoi në familjen e Sabit Grepit, pensionist nga fshati Koshtovë e Mitrovicës, projekti i së cilit është aprovuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Programit për Zhvillim Rural – Grante 2022, e që ka të bëjë me ndërtimin e një stalle të re në të cilën do të vendoste të 17 krerët me lopë e viça. Z. Sabiti, pos mbarështues i kafshëve, posedon gjithashtu rreth 2.5 hektarë tokë të veten, ndërsa merr me qira edhe 12.5 hektarë në të cilat kultivon grurë, misër, 500 trupa mollë, kullosë e jonxhe. Gjithashtu, vitin që lamë pas i njëjti ka qenë përfitues i subvencioneve, si dhe i janë kompenzuar dëmet nga breshëri në pemishten e tij”, thuhet në njoftimin e MBPZhR.

Familja tjetër tw cilwn e vizitoi Peci, ishte ajo e Fehmi Gashit, e cila me punën e saj të zellshme, nuk kishin lënë asnjë pëllëmbë edhe të oborrit pa punuar.

Gashi është kultivues i rreth 100.000 fije sallatë, dhe njëherit mbarështues i rreth 120 krerë dele e qengja së bashku. Fehmiu, gjithashtu posedon edhe 35 koshere me bletë nga të cilat nxjerr në vit afër 200 kg mjaltë. Brenda vitit ai mbjell e kultivon edhe spinaq e majdanoz.

“Pas këtyre vizitave, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci u shpreh duke thënë që ne, përveç se kemi rritur përkrahjen financiare, gjithashtu kemi instaluar meritokracinë, gjë e cila ka bërë që këtyre bujqve tanë t’iu ulen shpenzimet e kultivimit e mbarështimit, falë dorës së shtetit”, thuhet në njoftim.

Back to top button