Peci: Ministria e Bujqësisë e nis vitin 2022 me 11 milionë euro buxhet shtesë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka deklaruar se dikasteri që ai e udhëheq do të nis vitin 2022 me zero euro borxhe. Kjo sipas tij për shkak se kanë arritur të paguajnë borxhin prej 40 milionë euro që e kishte gjetur kur ka marrë udhëheqjen e kësaj ministrie.
Gjatë raportimit në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ministri Peci tha se kjo ministri do të ketë rritje të buxhetit në vlerë monetare prej mbi 11 milionë euro për vitin 2022.
Ministri tha se për herë të parë kjo ministri do ta nis vitin pa borxhe dhe me buxhet të plotë, teksa potencoi se qysh në fillim të vitit do të bëhet shpallja e programit për subvencione, pagesa direkte dhe për grante.
“Borxhe nuk do të kemi për vitin 2022, për shkak se të gjithë ata që e kanë obligim me i sjell të gjitha pjesët e shpenzimeve dhe investimeve në kuadër të granteve do të ekzekutohen deri në fund të këtij muaji. Por, sido që të jetë gjendja në të cilën do të thotë Ministria e Bujqësisë do të jetë në fillim vit është gjendja që nuk e ka pasur asnjëherë më parë. Ne do të shkojmë me buxhet të plotë edhe mbi bazën e vullnetit që e ka demonstruar kryeministri dhe ministri i Financave ne do të kemi një rritje të buxhetit në një vlerë monetare diku mbi 11 milionë euro për vitin 2022[…]Viti 2022 është vit i mbarë edhe për herë të parë do të fillojmë me shpalljen e programit për subvencione, pagesa direkte dhe për grante në fillim vit”, tha ai.
Ministri para deputetëve të këtij komisioni, tha se një prej problemeve me të cilin është përballur kur ka marrë drejtimin e kësaj ministrie ka qenë borxhi në vlerë prej 40 milionë eurove.
“Në mesin e vështirësive kryesore kanë qenë borxhet në vlerë prej 40 milionë euro të trashëguara nga disa qeveri paraprake. Do të thotë në periudhën nga 40 milionë euro borxhe 32 milionë kanë qenë obligime të pagesave direkte, disa kanë qenë të vitit 2019, disa të vitit 2020, po edhe të programit për rimëkëmbje ekonomike të vitit 2020. Ndërsa tetë milionëshi i borxhit dhe obligimeve, do të thotë ne kemi shlyer obligime të viteve 2017 e tutje për shkak se praktikën në Ministri të Bujqësisë në mënyrë se si ka ndodhur aplikimi, vlerësimi edhe shpërndarja e granteve ka qenë praktika më e keqe dhe më abuzive”, tha ai.
Kreu i Bujqësisë tha se kanë mundësuar programin e pagesave direkte për subvencione për vitin 2021 në vlerë fillimit të 21 milionë eurove, derisa potencoi se nga java e kaluar kanë ekzekutuar 13 milionë euro pagesa në kuadër të programit të pagesave të rregullta për fermerët.
“Kemi bërë vlerësimin administrativ prej 24 mijë aplikuesve, fermerëve dhe janë shtypur 19 mijë vendime, do të thotë presin edhe pesë mijë vendime me u shtyp dhe nënshkru gjatë kësaj jave. Ndërsa, në kuadër të pagesave vetëm dje fermerët, do të thotë janë alokuar në xhirollogaritë e tyre bankare 4.6 milionë euro, ndërsa në total nga java e kaluar deri tani kemi diku ekzekutimin e 13 milionë eurove pagesa në kuadër të programit të pagesave të rregullta”, u shpreh ai.
Po ashtu, ministri bëri të ditur se për herë të parë si ministri kanë hartuar strategjinë për bujqësi dhe zhvillim rural, strategji e cila tha se sot është proceduar për në qeveri.
Për shkak të mbajtjes së seancës, raportimi i ministrit të Bujqësisë është ndërprerë me kërkesë të deputetëve dhe do të vazhdojë edhe gjatë javës tjetër.

Back to top button