Peja triumfoi ndaj Teutës

2 min read

Peja sot shënoi fitore ndaj Teutës së Durrësit me rezultat 103:101 (29:26, 23:31, 25:29, 26:15), në kuadër të xhiros së tetë të Ligës Unike.

Takimi ishte shumë interesant, me aksione të bukura, me kthesa në rezultat dhe dramë në fund.

Pas një fillimi të barabartë, pejanët filluan shkëputjen dhe kaluan në epërsi deri në dhjetë pikë, 26:16, por më pas u rikthyen shpejt mysafirët, për të ngushtuar shifrat në 29:26, sa përfundoi çereku i parë.

Durrësakët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, për të barazuar rezultatin dhe kishin epërsi disa herë deri në shtatë pikë, kurse pjesa e parë përfundoi 52:57.

Perioda e tretë ishte interesante, por që u kontrollua nga mysafirët, të cilët gjatë gjithë kohës ishin në epërsi, kurse më e larta ishte 12 pikë, 74:86, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 77:86. 10 minutat e fundit ishin shumë interesant, me pejanët që nuk u dorëzuan dhe shkrinë epërsinë e mysafirëve, ndërsa arritën epërsi të tyre në 100:93. Në momentet e fundit ishin të vëmendshëm dhe fituan 103:101.

Te Peja u dalluan: Stephen Maxwell me 30 pikë e 11 kërcime dhe Dardan Berisha me 26 pikë, pesë kërcime dhe shtatë asistime. Ndërsa, te Teuta u dalluan: Cameron Saterwhite me 26 pikë, Tamas Bruce me 15 pikë e nëntë kërcime dhe Tyler Peterson me 13 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime.

Peja ka gjashtë fitore dhe dy humbje, kurse Teuta ka katër fitore dhe katër humbje.