Për 18 vjet regjistrohen 130 sulme ndaj gazetarëve

Kështu kanë bërë të ditu AGK dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit

Që nga viti 1999 deri më tani në tërë vendin janë hapur 130 raste për kërcënim, sulm, tentim vrasje dhe vrasje ndaj gazetarëve. Kështu u tha në një konferencë e organizuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Prokurori dhe Koordinatori në zyrën e Kryeprokurorit të shtetit për rastet e gazetarëve, ka bërë të ditur se që nga viti 1999 deri më tani janë regjistruar raste të kërcënimit sulmit apo edhe tentim vrasje.

Që nga kjo periudhë sipas Kelmendit në Prishtinë janë 90 raste, në Pejë 4 raste, në Mitrovicë 16 raste, në Gjilan 9 raste, në Ferizaj 1 rast, ndërsa në Prizren nuk ka pasur asnjë rast.

Kelmendi ka theksuar se një numër i rasteve zgjidhet por ka edhe një numër i konsiderueshëm që ka mbetur pa u zbardhur.

Bashkim Zeqaj, prokuror i caktuar për rastet e gazetarëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka thënë se raste e kërcënimeve ndaj gazetarëve do të shikohen me prioritet.

“Kemi pasur ngritje të rasteve të ngritjes së aktakuzave për kërcënime sulme ndaj gazetarëve. Do t’u rrimë mbi kokë prokurorët për zgjedhjen e rasteve që kanë të bëjnë me kërcënime ndaj gazetarëve”, ka thënë Zeqaj.

Ndërsa, Vllaznim Surdulli, nga Policia e Kosovës, tha se Policia e mban primatin e transparencës dhe bashkëpunimit me gazetarët.

Kryetari i AGK-së Shkëlqim Hysenaj tha se tek rastet e gazetarëve një prej elementeve është që të gjitha gazetarët që janë kërcënuar gjëja e parë që duhet të bëjnë është të lajmërojnë Policinë.

“E dyta është që të rritet bashkëpunimi me AGK-në, që të na njoftojnë dhe të adresojmë rastet e tyre”, tha Hysenaj.

Back to top button