Për 24 orë dy aksidente me fatalitet
Dy aksidente komunikacioni me fatalitet kanë ndodhur vetëm të enjten në Kosovë. Njëri aksident ka ndodhur në Sllatinë, e tjetri në një fshat të Gjilanit.
Në Sllatinë, një veturë është rrokullisur si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes. Shoferi vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa një grua pasagjere vdiq në QKUK.
“Rr. Nacionale Prishtine-Pejë, Sllatinë 29.08.2024-18:50 . Ka ndodhur një vet-aksident trafiku ku një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte një mashkull kosovar, dyshohet se si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes, humb kontrollin e automjetit dhe përfundon jashtë rrugës e rrokullisur. Lidhur me rastin ekipi mjekësor ne vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e drejtuesit të automjetit, po ashtu si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar edhe tri femra kosovare, ku njëra ka ndërruar jetë në QKUK Prishtinë. Në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha njësitet përkatëse dhe prokurori. Trupat e pajetë me vendim të prokurorit dërgohen në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Aksidenti tjetër ka ndodhur në fshatin Velekinc të Gjilanit ku humbi jetën një këmbësor.
“Fsh. Velekinc, Gjilan 29.08.2024-15:10. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tij duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës, e godet këmbësorin viktimën mashkull kosovar, ku si pasojë viktima nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin ditor të Policisë.
Gjatë 29 gushtit janë raportuar 58 aksidente trafiku, 2 prej tyre me fatalitet, 18 me të lënduar dhe 38 vetëm me dëme materiale./21Media