Për një ditë, tetë raste të dhunës në familje
Policia e Kosovës ka raportuar për tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit.
Sipas raportit të Policisë, në shtatë rastet e raportuara dyshohet se burrat sulmuan gratë e tyre. Ndërsa, një rast tjetër dyshohet se nusja e djalit sulmoi vjehrrën.
Në raport thuhet se gjashtë raste të dhunës janë raportuar nga rajoni i Prishtinës. Apo dy nga Prishtina, dy nga Fushë Kosova, një nga Podujeva dhe një nga Lipjani.
Po ashtu një rast i dhunës në familje ka ndodhur në Istog dhe një në Klinë.
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në vendin tonë. Të dhënat e Policisë së Kosovës, që i përkasin periudhës janar-nëntor 2021, flasin për një rritje me 13.10% të rasteve të dhunës në familje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Gjatë kësaj kohe janë shënuar edhe 6 raste vrasjesh mes anëtarëve të së njëjtës familje. Psikologët mendojnë se pandemia mund të ketë ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës, por pa harruar edhe faktorët e tjerë socio-ekonomikë. Kërkesat për strehim janë rritur me 35% edhe në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë./21Media