Përfundoi pa incidente protesta kundër propozimit francez, prej nesër bllokada në mbarë Maqedoninë e Veriut
Para Kuvendit sonte përfundoi protesta e gjashtë me radhë kundër propozimit francez për zhbllokimin e integrimeve evropiane në shtet, e cila kaloi qetë dhe pa incidente. Aktivitetet do të vazhdojnë nesër me bllokada në mbarë vendin, ndërsa protestë përsëri është paralajmëruar për të dielën në orën 19:00.
Në fillim të protestës që filloi me tubimin para Qeverisë, kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickovski porositi se nuk do të mbështesin kurrfarë ndryshimesh kushtetuese.
“Opinioni maqedonas duhet të jetë i sigurt se çfarëdo që të ndodhë më pas me këtë tradhëti dhe fatkeqësi kombëtare që po e përgatit Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, VMRO DPMNE në Kuvend nuk do ta pranojë”, deklaroi Mickoski.
Pastaj, pjesëmarrësit vazhduan me marsh drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku para policëve në mënyrë simbolike u vendosën trëndafila të bardhë dhe bënë thirrje për dorëheqje.
Dorëheqje u kërkua edhe para Kuvendit ku pjesëmarrësit, të shoqëruar me këngë patriotike brohorisnin “JO”.
“Ultimatum – Jo faleminderit” nesër vazhdon me bllokada. “Në katër vende, në Shkup para Qeverisë, si dhe bllokim i rrugëve magjistrale Shtip Veles, Strumicë Radovish dhe Pletvar Prilep”, u bë e ditur në kumtesën e tyre.
Të shtunën, siç bëjnë të ditur, në shenjë të respektit për bashkëqytetarët myslimanë, të cilët e festojnë Bajramin nuk do të ketë protesta. “Vazhdojmë masivisht me protesta në Shkup, në orën 19 para Qeverisë”, u theksua nga atje, shkruan TV21./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?