Ish-menaxheri i Qendrës së Karantinës, Valdet Hashani dëshmoi sot para anëtarëve të Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës. Dëshmia e tij kryesisht pati të bënte me vdekjen e dyshimtë të të riut, Agon Musliu në këtë qendër.

Hashani tha se si menaxher nuk ka pranuar asnjë dëshmi, e cila tregoi për gjendjen e të ndjerit. Madje, ai tha se dosja e pranuar nga ekipet mjekësore nuk paraqet asnjë diagnozë se 26-vjeçari nga Gjilani vuante nga ndonjë sëmundje.

Ai para komisionit tha se ka filluar punën më 6 prill dhe deri më 31 maj nuk ka pasur asnjë ditë pushim dhe se këtë detyrë e ka pranuar nga ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.

Anëtari i këtij komisioni nga AAK, Shkumbin Demalija u interesua të dijë se mbi çfarë vendimi janë liruar të karantinuarit me COVID-19 dhe nëse ka pasur ndonjë kërkesë konkrete për lirim të ndonjërit prej tyre nga ana e ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në përgjigjen e tij Hashani tha se ministri Vitia askënd nuk e ka liruar pa dosje mjekësore. E Demalija u interesua të kuptojë se edhe sa kohë ka qëndruar në karantinë Agon Musliu, i cili ka kryer vetëvrasje në maj të këtij viti.

Ish-menaxheri i Qendrës së Karantinës, Valdet Hashani tha se ai në këtë qendër është pranuar më 2 maj dhe aty ka qëndruar vetëm një natë. Sipas tij, qendra nuk ka poseduar asnjë dokument nga familja Musliu apo ekipet mjekësore që ka treguar për gjendjen jo të mirë shëndetësore të Agon Musliut.

Ai bëri të ditur se ka kërkuar psikolog apo psikiatër për Musliun vetëm pas një mesazhi telefonik që e ka marrë nga ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, të cilin e ka pranuar një ditë pas pranimit të të ndjerit në karantinë.

Hashani tha se ndihmë psikologjike ishte duke kërkuar për dy të karantinuar të tjerë që ishin më keq dhe se nuk kishte asnjë sinjal nga Agon Musliu se ishte në gjendje jo të mirë.

“Absolut, asnjë dokument ne nuk kemi marrë. Realisht, dosjen të cilin e kemi marrë prej ekipit të mjekësisë familjare dhe Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, e kemi me diagnozë zero. Domethënë, nuk ka asnjë dëshmi. Për këtë rast i keni dëshmitë që i keni depozituar, janë edhe fotografitë duke pritur i ndjeri Agon Musliu në radhë, pa asnjë shqetësim. Ne prej familjes nuk kemi marrë dëshmi. Më datën 3, para se të ndodhë rasti kur unë e kam përgatitur emailin për kërkesën e psikiatrit, në mesin e tyre, i treti e kam futur Agon Musliun, pasi më ka ardhur një mesazh se ai nuk është mirë dhe se nevojitet një psikiatër ose psikolog prej Izet Sadikut”, tha Hashani.

Anëtarja e këtij Komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha nga Hashani kërkoi të dijë se sa persona ishin në aeroplanin ku ishte Agon Musliu dhe sa prej tyre ishin të karantinuar.

Përgjegjësi i karantinës, Valdet Hashani tha se nuk e di se sa ka qenë numri i udhëtarëve, por që më 2 maj në Qendrën Studentore janë pranuar 11 qytetarë.

Ai tha se Agon Musliu nuk ka shfaqur asnjë element refuzimi, i cili do i shtynte të mendonte se kishte probleme.

“Në datën që ka ardhur ka marrë darkën, në mëngjes e ka marrë mëngjesin, në drekë nuk ka mundur, se ka qenë pas orës 18:00, nuk është se ka refuzuar apo ka shfaqur ndonjë element refuzimi para vullnetarëve fillimisht për pastrim. Nuk kemi pasur vërejtje. Nëse dikush do të kishte ndonjë dëshmi, ne do ta kishim fotokopjuar dhe do ta kishim dorëzuar. Në qendrën e studentëve karantinë, nuk ka asnjë dëshmi, të gjitha janë elektronike, policia i ka, ju i keni të gjitha”, tha Hashani.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu kërkoi shpjegime për procedurat e lirimit të një qytetari nga karantina. E Hashani i dha ato duke thënë se nga askush përfshirë edhe ish-ministrin Vitia nuk ka pranuar ndonjë telefonatë për t’u liruar ndonjë person.

“Vendimmarrja nuk ka qenë në karantinë , vendimmarrja në qendrën operative kur ka shkuar dosja aty është marrë vendimi dhe janë liruar. Rekomandimet kanë shkuar prej ekipet mjekësore, në momentin kur ligji iu ka dhënë të drejtën ekipeve mjekësore për ta liruar apo karantinuar atëherë përgjegjësinë e merr ai person… Për 60 ditë sa kam qenë menaxher në Qendrën e Studentëve në karantinë, në asnjë moment nuk kam marrë telefonat prej ministrit Vitia”, tha Hashani.

Gjatë debatit, anëtari i këtij komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu parashtroi pyetje për ish-menaxherin e karantinës dhe e krahasoi atë me “Aushvicin”. E një vlerësim i tillë ngjalli përplasje në mes të kryesueses së komisionit, Mimoza Kusari-Lilës dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçakut.

“Aty njerëzit janë internuar sikur në Aushvic me vendime politike…”.

Kusari-Lila: T’u kisha lutur që të kish kujdes me kualifikime të natyrës që i referoheni Luftës së Dytë Botërore dhe Ashuvicit, i cili është kamp përqendrimi ku njerëzit janë vrarë.

Haxhiu: Edhe aty kemi një rast të vdekjes…

Kusari-Lila: E kemi një rast të vdekjes se siç po zbërthehet gradualisht për çështje të dokumentacionit…

Haxhiu: Janë grumbulluar njerëzit pa bazë ligjore”.

Më e ashpër ndaj këtij vlerësimi ishte deputetja anëtar e këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, e cila tha se nëse vazhdon me këto vlerësime, atëherë mbledhja duhet të ndërpritet.

Hashani gjatë raportimit tha se asnjë qytetar i Kosovës nuk ka hyrë në karantinë pa e pasur vlerësimin e ekipeve mjekësore varësisht se në cilat pika kufitare ka hyrë. Kjo ka vlejtur edhe për qytetarët që kanë ardhur përmes aeroportit “Adem Jashari”.

Pas dhënies së dëshmisë së ish menaxherit të Qendrës së Karantinsë, Valdet Hashanit para anëtarëve të Komisionit parlamentar hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës dëshminë e tij e ka dhënë edhe Naim Musliu, babai i të ndjerit, Agron Musliut.